200 mijë euro për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

Sipas një njoftimi të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, Kabineti Qeveritar në mbledhjen e sotme ka ndarë mjete financiare në shumë prej 200 mijë eurosh
për nevojat e realizimit të projektit në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Krahas kësaj, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është aprovuar edhe nisma për lidhjen e dy marrëveshjeve ndërkombëtare.

Njëra ka të bëjë me marrëveshjen ndërkombëtare të Ministrisë së Financave dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), për financimin e projektit “Parku Inovativ Trajnues në Prizren”.

Marrëveshja e dytë ndërkombëtare e miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë është ajo në mes të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) për bashkëfinancimin e Projektit CETEP, që parasheh krijimin e vendeve të reja të punës, përmes promovimit të eksportit.