Ambasada amerikane shpreh shqetësimin për emërimin e individëve të pakualifikuar në pozita të larta qeveritare

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin thellësisht të shqetësuara nga veprimi i qeverisë së Kosovës për emërimin e individëve të pakualifikuar në pozita të larta qeveritare – përfshirë edhe individë të dënuar për krime lufte, individë nën aktakuzë aktive për krime të rënda dhe të dyshuar për keqpërdorim të rëndë të pozitës, thuhet në reagimin e ambasadës së ShBA-ve në Kosovë.

“Në demokraci, individët e emëruar në pozita të nivelit të lartë duhet të rrezatojnë fytyrë etike dhe të kualifikuar para botës; fatkeqësisht shembulli i Kosovës sa i përket emërimeve paraqet të kundërtën. Individët e pakualifikuar, të cilët janë dënuar nga drejtësia apo janë duke u ndjekur në mënyrë aktive për krime të rënda, si dhe ata që kanë shfaqur gatishmëri për të vepruar, të sigurtë se nuk do të dënohen, dhe kanë keqpërdorur autoritetin e tyre, nuk kanë vend në pozitë zyrtare. Nominimi i këtyre individëve të pakualifikuar minon besimin e publikut që Kosova po përpiqet ta ndërtojë, e privon vendin nga mundësia për të pasur individë kompetentë, me nam dhe më se të kualifikuar për të kryer punën në qeveri dhe i çnderon viktimat e krimeve të kaluara të këtyre individëve. Po ashtu, kjo gjë pengon përparimin e Kosovës drejt ndërtimit të namit në rrafshin ndërkombëtar që do ta bënte atë partnere të dëshirueshme për vendet e tjera dhe forcon pozicionin e kundërshtarëve që do të pohonin se Kosova nuk është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit”, shkruan në këtë deklaratë.

Tutje theksohet se: individët duhet të kenë mundësi për të rindërtuar jetën e tyre pas këtyre shkeljeve të të kaluarës: ashtu siç ka thënë Bryan Stevenson, avokat dhe humanitar amerikan: „Secili prej nesh është më shumë se gjëja më e keqe që e kemi bërë ndonjëherë”. Por, madje edhe përderisa historia rikujton kontributet pozitive të individëve, si dhe dështimet e tyre, disa sjellje do të duhej të çkualifikonin përjetësisht një individ nga pozita zyrtare: përfshirja në krime të rënda do të duhej të ngrinte shqetësim për përshtatshmërinë e një personi që ndonjëherë të mbajë një pozitë të tillë.

“I nxisim qytetarët e Kosovës, si dhe udhëheqësit e saj për të reflektuar se çfarë fytyre duan që Kosova t’ia tregojë botës. Iu bëjmë thirrje udhëheqësve të Kosovës për ta marrë këtë çështje seriozisht dhe të ndalen e ta prapësojnë këtë prirje të emërimit të individëve, disa prej të cilëve ambasada tashmë i ka cekur me emër, përzgjedhja e të cilëve duket se çon përpara qëllimet afatshkurta politike e jo nevojat legjitime të qytetarëve të Kosovës ose kredibilitetin e shtetit, përfundon deklarata e ambasadës së ShBA-ve në Kosovë.