Ambasada Turke në Beograd tërhiqet nga “gabimi”

Ambasada e Republikës së Turqisë në Beograd ka ndryshuar njoftimin e publikuar në profilin e saj në rrjete sociale.

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Beograd, Tanju Bilgiç, gjatë ditës së djeshme kishte takuar Marko Gjuriqin, i cili mban pozitën e Drejtorit për “Kosovë e Metohi” pranë Qeverisë së Serbisë.

Në njoftimin e publikuar në profilin e Ambasadës Turke në Beograd thuhej se “Ambasadori Tanju Bilgiç është takuar me Drejtorin e Zyrën për “KIM” Marko Gjuriq dhe kanë diskutuar mbi temat aktuale”.

Referimi me termin “Kosovo i Metohija” kishte ngjallur reagime të ashpra të qytetarëve të cilët kanë komentuar në faqen e Ambasadës në rrjete sociale.

Në lidhje me këtë çështje ende nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet e Kosovës.

Viteve të fundit ka pas përafrim të theksuar në marrëdhëniet politike dhe ekonomike në mes Serbisë dhe Turqisë.

Lajme365.com e kishte publikuar e para gjatë ditës së djeshme njoftimin për skandalin diplomatik.