Anëtari i PDK-së, Artan Nimani, zgjedhet rektor i Universitetit të Gjakovës

Politizimi i institucioneve arsimore, gjegjësisht universiteteve publike në Kosovë është bërë trend i zakonshëm në Kosovë, ku partitë në pushtet përpiqen të kontrollojnë arsimin e lartë në vend.

Këtë herë kjo mund të vërehet nga vendimi i fundit i Këshillit të Drejtues të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”.

Ky universitet ka njoftuar të premten se ka zgjedhur Prof.Ass.Dr. Artan Nimani, në pozitën e rektorit të ri të Universitetit të Gjakovës. Nimani do të pranojë zyrtarisht detyrën më 1 tetor të këtij viti nga rektori aktual, Prof. Dr. Shaban Buza.

Informata më të shumta lidhur me zgjedhjen e Nimanit në këtë pozitë të rëndësishme nuk janë dhënë nga Universiteti i Gjakovës.

Nga ana tjetër, Nimani është një figurë e rëndësishme në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) të Kadri Veselit. Në faqen e internetit të kësaj partie politike, e cila është pjesë e pushtetit, Nimani është anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, siç shihet edhe në foton e mëposhtme.

Ndërsa, në zgjedhjet e fundit për kryetar të komunave në vitin 2017, Nimani ishte kandiduar nga PDK-ja për kryetar të Gjakovës, por që kishte dështuar të marrë votat e nevojshme për t’u bërë kryetar i kësaj komune.

Ndërkaq, së fundi në mediat kosovare kanë qarkulluar foto të Nimanit me të dyshuarin dhe protagonistin e fajdeve në Kosovë, Rrahim Hashimi, i arrestuara para pak muajsh nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kryer veprën penale për mashtrim, shantazh dhe detyrim.