Basha tregon si do i ndalë zgjedhjet e 30 qershorit

Në një konferencë me gazetarët kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se nuk do të lejojë që në 30 qershor tirania e krimit të kapë krahas gjithë pushteteve edhe atë vendor, madje tregoi edhe mekanizmin që do të vendoset në funksion për të pezulluar procesin.

Sipas kreut të opozitës “çelësi” është bashkimi i qytetarëve.

“Mekanizmi për të ndaluar tiraninë e krimit është bashkimi i njerëzve. Nuk ka njohur mekanizëm tjetër historia. 200 vjet qytetërim modern, që pas antikitetit nuk ka mekanizëm tjetër veç bashkimit të shqiptarëve. Mekanizmi i vetëm për të ndalur kapjen e të gjitha pushteteve është bashkimi, për të luftuar qeverinë e lidhur me krimin. Ky është një vullnet që nuk ndalet më. Me 30 qershor kam besim se bashkimi i qytetarëve, para 30 qershorit jam i bindur se nuk do lejoj që të hyjë në histori si tirania e krimit çimenton dhe kap edhe pushtetin vendor”, deklaroi Basha.

Dhe për të bindur qytetarët se nuk do t’i braktisë në këtë betejë, kreu i demokratëve u bëri thirrje ta çojnë atë që kanë nisur deri në fund.

“Të frymëzuar siç jemi nga përgjigja e qytetarëve u bëj thirrje qytetarëve vazhdojmë të qëndrojmë së bashku në qëndresën për liri dhe demokraci dhe Shqipërinë si e gjithë Europa. Kemi mbështetjen e të gjithë atyre që udhëheqin me demokraci vendet e tyre. Nesër kam thirrur forumet më të lartë të Partisë Demokratike dhe drejtuesit e opozitës për të diskutuar axhendën politike dhe protestat e qytetarëve të bashkuar. Ky është momenti për të intensifikuar dhe vazhduar me vendosmëri rrugën tonë. Jeni të gjithë aksionerë në këtë betejë dhe do të jeni aksionerë të qeverisë së re që do të lindë nga kjo betejë”, u shpreh Basha.

Dhe për ta mbyllur shtoi: “Koha e hajdutit, kriminelit ka mbaruar. Sot shqiptarët e kanë marrë fatin në dorë. Asgjë s’do na pengojë në rrugën tonë drejt Europës. Askush s’do e marrë peng të ardhmen evropiane”. /gazeta-shqip/