Filmi “Në Mes” nga Samir Karahoda triumfon në Lituani

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Vilnius të Lituanisë në kuadër të garës së filmave të shkurtër triumfoi filmi “Në Mes” i autorit Samir Karahoda.

“Ky film është si një përrallë, të gjithë na tërhoqi ndriçimi i tij, aftësia për të shtjelluar tregimin e vet dhe tërheqjen e fuqishme kinematografike” ishte motivimi i jurisë që përbëhej nga Caroline Mallevile, programere e filmit në kinematekën Franqeze, Rimante Daugelaite, drejtoreshë e ajencisë Lituaneze për Film të Shkurtër dhe regjisorit Spanjoll Xacio Bano.

Në pamundësi për të qenë prezent në ndarjen e çmimeve në Riga, Samir Karahoda u paraqit me video lidhje në Lituani dhe me këtë rast e falenderoi festivalin që e selektoi filmin si dhe jurinë për këtë çmim shumë të rëndësishëm. Ai poashtu e shprehi edhe keqardhjen për mosprezencën e tij në Lituani, pasi që ky çmim ka një rëndësi të veçantë për të, pasi që është filmi debutues i tij dhe ky çmim si i pari në karierën e tij si regjisor do të ketë gjithmonë një vlerë shumë të madhe në jetën e tij.

Regjisori Karahoda e përmbylli paraqitjen e tij në Lituani duke dërguar përshëndetje me shumë dashuri nga Kosova.

Filmi i Karahodës, “Në Mes” me producent Eroll Bilibanin, pas premierës botërore në Festivalin prestigjioz Berlinale të Gjermanisë dhe premierës rajonale në Zagreb Dox të Kroacisë u shfaq edhe në Festivalet e kategorisë A Tampere Film Festival në Finlandë, DocuDays në Kiev të Ukrainës, dhe është duke u shfaqur në GoShort të Nijmegen të Holandës. Ky është çmimi i parë për filmin e Samir Karahodës.

Filmi “Në Mes” është prodhim autentik nga Kosova dhe është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Bankës për Biznes, Komunës së Prizrenit dhe Prishtinës, ka njoftuar producenti i filmit, Eroll Bilibani.