Gjendje emergjente për ujë të pijshëm në Gjilan

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot ka bërë të ditur se ka shpallur gjendje emergjente për shfrytëzimin e ujit të pijshëm.

Me këtë rast Haziri ka bërë të ditur se ka themeluar një Task Forcë mes Komunës, Hidromoravës dhe Policisë Kosovës në zbatimin e këtyre detyrave që ndërlidhen me këtë vendim.

Gjendja emergjente për shfrytëzimin e ujit të pijshëm në Komunën e Gjilanit vie si pasojë e rënies drastike të nivelit të ujit në pendën e Përlepnicës si pasojë e mungesës së reshjeve dhe temperaturave të larta.

“Ekipet e përbashkëta do të ndërmarrin veprime konkrete dhe nuk do të ketë asnjë tolerance për ata që nuk e respektojnë këtë vendim. Gjobat mandatore janë jashtëzakonisht të rënda deri në 300 euro”, ka deklaruar Haziri duke shtuar më tej se Komuna e Gjilanit është në koordinim edhe me Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Departamentin e Ujërave, për ta përballuar sezonin e thatësisë.

Gjatë periudhës emergjente nuk lejohet asnjë lloj ujitje me ujë të pijshëm për kopshtet, rrugët, arat bujqësore, autolarjet e të ngjashme.

“Lutemi që të mos shkojmë në situatë të jashtëzakonshme me masa edhe më ekstreme dhe të arrijmë të përballojmë thatësinë!” thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.