Gjukanoviç: Do të themelojmë Kishën Ortodokse të Malit të Zi

Sipas një raporti të publikuar nga Zëri i Amerikës, Presidenti malazez Milo Gjukanoviç është zotuar se do të ndërmerr hap konkret për ripërtëritjen e Kishës Ortodokse të Malit të Zi.

Kisha Ortodokse e Malit të Zi ka ekzistuar deri në vitin 1919 kur Mbreti serb Aleksandar e zhbëri kishën malazeze dhe krejt pasurinë e saj ia kaloi Kishës Ortodokse Serbe.

Zëri i Amerikës citon Presidentin malazez të ketë deklaruar se “Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi po përpiqet ta ruajë infrastrukturën e Serbisë së madhe në të cilën ajo beson. Kisha Ortodokse Serbe mendon se Mali i Zi gabimisht është bërë i pavarur dhe se me kohë do të ndreqet gabimi e do të kuptohet nevoja për të nisur ndërtimin e Serbisë së madhe.”

Gjukanoviç më tej raportohet të ketë deklaruar se “Mali i Zi është i pagjunjëzuar për ndërtimin e një shoqërie shumetnike. Ka mbetur edhe një hap i rëndësishëm me të cilin do të ndreqet padrejtësia e madhe që i është bërë Malit të Zi në fillim të shekullit 20-të, e ajo është përtëritja e Kishës autoqefale ortodokse të Malit të Zi (KOMZ). Mali i Zi bashkëkohor nuk do të lejojë të jetojë nën diktatin e një organizate fetare e cila përfaqëson reliktin e së kaluarës”.