Gruevski deponon dorëheqjen nga posti i deputetit

Ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, ka dorëzuar në Kuvendin e Maqedonisë Veriore dorëheqjen nga funksioni i deputetit, më 5 qershor. Dorëheqja e tij është bërë në gjuhën hungareze.

Kryetari i Kuvendit maqedonas, Talat Xhaferi, ka konfirmuar se dorëheqja e Gruevskit ka arritur në Kuvend me akt noterial dhe me vulat adekuate përmes të cilave vërtetohet se bëhet fjalë për deklaratë personale të Gruevskit.

“Dorëheqja ka arrit më 5 qershor. Është dërguar në përkthim nga gjuha hungareze dhe pasi të përkthehet do tu dorëzohet edhe deputetëve”, ka deklaruar Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Ndërkaq, pritet të shihet nëse dorëheqja e Gruevskit do të vihet në rend të ditës në seancën e ardhshme të Kuvendit të Maqedonisë së Veriore që do të mbahet të martën e javës së ardhshme. Në fakt, në këtë seancë, pikë e rendit të ditës do të jetë marrja e mandatit të Gruevskit, raporton Alsat-M.

Ish-kryeministri Gruevski është duke qëndruar në Hungari, vend në të cilin gjeti strehim politik pasi u larguar nga territori i Maqedonisë Veriore pas procedurave gjyqësore ndaj tij.