KFOR: Prania e 4 oficerëve shqiptarë nuk duhet ta habisë askënd

KFOR-i ka bërë të ditur se një grup i oficerëve të NATO-së, të shoqëruar nga KFOR-i, po zhvillon një aktivitet zbulimi nëpër Kosovë. Ata oficerë, sipas njoftimit, janë nga shtetet e ndryshme të NATO-së, përfshirë Shqipërinë.

“Përsëri sot lexojmë për komplote të pavërtetuara dhe për një varg ngjarjesh të çuditshme, të cilat vetëm krijojnë panik dhe konfuzion tek populli i cili meriton më shumë respekt.

Pavarësisht nga thirrjet e shumta për mos-përhapje të spekulimeve të papërgjegjshme, për fat të keq thashethemet e fabrikuara vazhdojnë të qarkullojnë nëpër media dhe shkaktojnë shqetësime të pabaza tek popullata.

KFOR-i konfirmon se gjendja në veri, si dhe në mbarë Kosovën, është absolutisht nën kontroll dhe nuk ka asnjë shenjë apo dëshmi për trazira apo dhunë të mundshme.

Në të vërtetë nuk ka asnjë arsye për shqetësim dhe frikë”, thuhet në njoftimin e Zyres për Informim të KFOR-it.

Aty theksohet se këtyre ditëve, një grup i oficerëve të NATO-së nga shtete të ndryshme, po zhvillon një aktivitet zbulimi nëpër Kosovë.

“Aktiviteti përfshinë vizita nëpër vende të ndryshme në Kosovë, duke përfshirë Mitrovicën dhe lokacione tjera në veri.

Ky nuk është provokim, por është një aktivitet i përbashkët i NATO-së, dhe prania e 4 oficerëve shqiptarë nuk duhet ta habisë askënd pasi që Shqipëria është anëtare e NATO-së tani e 10 vjet. Për më tepër, duhet të dihet se Shqipëria gjithashtu kontribuon në misionin e KFOR-it.

KFOR-i vazhdon në mënyrë të paanshme t’i përkushtohet mandatit të OKB-së për ta mbrojtur tërë popullin në Kosovë, prandaj kur KFOR-i ushtron dhe lëviz nëpër Kosovë, të gjithë duhet të ndihen më të sigurt”, shkruan në njoftimin e Zyres për Informim të KFOR-it.