Kosova ka nevojë për projekte nga BE-ja në bujqësi

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti në takim Ekrem Gjokaj, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Günter Horzetzky, ish këshilltar i Kancelares Merkel, ku u diskutua për Instrumentin e Para-Anëtarësimit për Zhvillim Rural, dhe me këtë rast ka potencuar se Kosova “ka nevojë për projekte që stimulojnë zhvillimin e bujqësisë si dhe mbështetjen e prodhimit, përpunimit të produkteve bujqësore si dhe promovimin e eksporteve tona”, njofton MIE.

Postimi i Ministres Hoxha në fb:

Në takim me z. Ekrem Gjokaj, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Günter Horzetzky, ish këshilltar i Kancelares Merkel, diskutuam për Instrumentin e Para-Anëtarësimit për Zhvillim Rural (IPARD).

Diskutuam për rrugën të cilën ne duhet ndjekur që Bashkimi Evropian t’i njoh strukturat e Instrumentit të Para-Anëtarësimit për Zhvillim Rural, në pajtim me vendimin e Qeverisë së Kosovës, nga viti 2016.

Në takim theksova se nevoja për mbështetje nga donatorët në bujqësi është jashtëzakonisht e madhe, kryesisht në përafrim të politikave dhe legjislacionit me standardet e BE-së në bujqësi, në ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe fermerëve për zhvillimin e bujqësisë dhe përmirësimin e qasjes së fermerëve në financa.

Po ashtu, kemi nevojë për projekte investive të BE-së që stimulojnë zhvillimin e bujqësisë si dhe mbështetjen e prodhimit, përpunimit të produkteve bujqësore si dhe promovimin e eksporteve tona”.