Kosova shënon ditën e lirisë

Ish sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara bën gjënë e duhur duke ndihmuar popullin e Kosovës që të fitojë lirinë.

Ajo i bëri këto komente pasi u dekorua me “Urdhrin e Lirisë” nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e cilësoi atë heroinë të Kosovës.

“Dua të pranoj se më pëlqen kur nderohem, por më duhet ta them se asgjë nuk më bën më të lumtur sesa të afrohem më shumë me Kosovën. Jam shumë krenare për çdo gjë që ne dhe ju kemi bërë për të arritur këtu. Kurrë nuk do ta harroj ardhjen time në Prishtinë menjëherë pas luftës. Kishte shumë turma njerëzish dhe shenja gjithandej që thoshin ‘Faleminderit Amerikë”. Mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë bërë gjënë e duhur, që ishin në gjendje të ndihmojnë popullin e Kosovës të fitojë lirinë dhe të punojë shumë. Jam e nderuar që jam këtu me ju dhe me të gjithë ju që vazhdoni të punoni shumë për lirinë dhe demokracinë në Kosovë. Kosova është vend i pavarur që duhet të njihet si e tillë, dhe unë jam e kënaqur që të njihem si kontribuese për këtë. Dhe jam shumë krenare për të gjitha ato vajzat e vogla, të cilat e mbajnë emrin Madeleine”, tha zonja Albright.

Një ditë më parë me këtë urdhër u dekorua edhe ish presidenti amerikan, Bill Clinton.

Me “Urdhrin e Lirisë” u dekorua edhe ish komandanti i forcave të NATO=s gjatë luftës së Kosovës, gjenerali Wesley Clark.​

Ish zyrtarët e lartë amerikanë, po marrin pjesë në manifestimet me rastin e përvjetorit të 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që i dhanë fund luftës gati dyvjeçare. Trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, hynë në Kosovë prej nga po largoheshin trupat serbe dhe që atëherë 12 qershori i vitit 1999 cilësohet si dita e lirisë së Kosovës, raporton Zëri i Amerikës.

Atëbotë në Kosovë u vendosën rreth 50 mijë ushtarë, ndërsa numri i tyre është shkurtuar vit pas viti. Aktualisht në terren ndodhen rreth 4 mijë trupa, misioni i të cilëve, sipas zyrtarëve të NATO-s, ka të bëjë me një mjedis të sigurt për të gjithë dhe vendosjen e lirisë së lëvizjes.

Në Prishtinë vlerësohet se NATO-ja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt por edhe rindërtimin e Kosovës e cila doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e rreth 5 mijë të zhdukur.

Hyrjes së trupave u parapriu nje fushatë 78 ditëshe e bombardimeve kundër forcave serbe, pasi që Beogradi kishte refuzuar të nënshkruajë një marrëveshje të negociuar në Rambouillet të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe dështimin e përpjekjeve diplomatike për ta bindur atë.

Në njëzetvjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s, udhëheqësit politikë në Kosovë e shohin 12 qershorin si një nga ditët më të shënuara në kalendarin historik të Kosovës. /Zëri i Amerikës/