Kosova U21 lidere e Grupit

(nga TopSporti.com) – Me fitore të thellë me një lojë të mrekullueshme, Kosova U21 e drejtuar nga Rafet Prekazi dhe ndihmësi i tij Erdogan Celina, ka mposhtur Turqinë U21 sonte në Fadil Vokrri 3-1 për të marrë lidershipin e Grupit 3 kualifikues drejt evropianit EURO 2021.

Epërsia e Kosovës erdhi me golin e Arbenit Xhemajlit, që shënoi pas një korneri, kur një top të devijuar, nga afëria e dha golin (45′) për të çuar në pushim ekipin 1-0.

Mirëpo, me të nisur pjesa e dytë turqit shënuan. Një moskoncentrim në sekondat e para të lojës solli barazimin kur Ibrahim Dervisoglu (46′) shënoi për 1-1.

Pas kësaj në fushë foli vetëm ekipi i kaltër. Kosova U21 dominoi në të gjitha aspektet e lojës. Raste plotë, shtylla dhe çka tjetër jo, derisa Mirlind Daku i çliroi të gjithë me golin e shënuar (72′) mjeshtërisht me kokë pas krosimit nga e djathta për 2-1. E krejt në fund, në kundërsulm, Lirim Kastrati i sulmit (pasi që janë dy Lirim Kastrata në ekip) shënoi për 3-1 (89′) që siguroi fitoren.

Tash, Kosova U21 nga dy ndeshjet e qershorit merr pikë maksimale dhe është lidere e grupit, me 6 pikë nga dy duele.