Lituania mban zgjedhjet presidenciale

Në Lituani sot po mbahen zgjedhjet presidenciale. Votuesit mund të zgjedhin në mesin e nëntë kandidatëve për të zëvendësuar presidenten aktuale, Dalia Grybauskaite, e cila nuk mund të garojë më për këtë post, pasi ka qëndruar në krye të shtetit për dy mandate pesëvjeçare.

Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk arrin të fitojë më shumë se 50 për qind të votave, raundi i balotazhit do të mbahet më 26 maj, datë që përkon edhe me zgjedhjet që do të mbahen për Parlamentin Evropian.

Sipas sondazheve, kandidatët favorit janë, ish-ministrja e Financave, konservatorja Ingrida Simonyta, kryeministri aktual, Saulius Skvernelis dhe ish-ekonomisti Gitanas Nauseda, raporton Radio Evropa e Lirë.

Sipas sondazheve Simonyte pritet të fitojë 26 për qind të votave dhe pas saj pritet të dalin Nauseda dhe Skvernelis.

Në Lituani, presidenti nuk ka shumë fuqi ekzekutive, megjithatë, presidenti i vendit është përgjegjës për politikën e jashtme dhe përfaqëson vendin në samitet e Bashkimit Evropian.

Presidenti në Lituani po ashtu emëron ministra, gjykatës, shefat e ushtrisë, kreun e bankës qendrore dhe të gjitha këto emërime zakonisht bëhen me miratimin e Parlamentit apo të kryeministrit.

Lituania, një aleate e ngushtë e Shtetet e Bashkuara, ka marrëdhënie të tensionuara me Rusinë fqinje. Në Lituani, muajve të fundit, disa persona janë arrestuar nën akuzat se kanë spiunuar për Moskën.

NATO-ja ka rritur prezencën e saj në Evropën Lindore dhe Qendrore, përfshirë edhe në Lituani, pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia më 2014, raporton Radio Evropa e Lirë.