Llapi, Trepça’89 dhe Drita fituan në shtëpi

Janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së 25-të në IPKO Superligë. Llapi ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Ferizajn, me rezultat 2:0, duke e ruajtur hapin për kreun e renditjes. Golat për llapjanët në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë i shënuan Ahmed Januzi, në minutën e 3-të dhe Festim Alidema në minutën e 42-të.

Fitore me rezultat të ngushtë ka arritur Trepça’89 në duel me Flamurtarin, 1:0. Golin e fitores për “minatorët” e shënoi Hasan Hyseni, në minutën e 48-të.

Ndërsa, Drita u shfaq bindëse në duel me skuadrën e fundit në renditje, KEK-un, duke e mposhtur me rezultat 4:0.

Dueli i vetëm që nuk prodhoi gola ishte ai në Skënderaj ndërmjet Drenicës dhe Gjilanit, ka njoftuar FFK-ja.