Marsh paqësor në Prizren në 24 vjetorin e masakrës së Srebrenicës

Në Prizren, në organizim të SHKA ” Sharski behar”, është organizuar “Marshi Paqësor për Srebrenicën”, në 24 vjetorin e përkujtimit të masakrës serbe ndaj mbi 8 mijë civilëve boshnjakë. Hatixha Shabanoviq, babai i së ciles është nga Bosnja i martuar me kosovare, të enjtën ishte pjesë e marshit paqësore për Srebrenicën që u organizua në Prizren. Ajo thotë se duhet të përkujtohet kjo ngjarje e tmerrshme dhe të informohet e tërë bota për masakrën e pashembulltë që është kryer ndaj mijëra civilëve boshnjakë para 24 vitesh.

Dhjetëra qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve, të enjtën kanë marshuar nga Ralina deri në Shatërvan, në marshin e organizuar në përkujtim të masakrës së Srebrenicës ” Marshi paqësor për Srebrenicën”. Pjesë e këtij marshi ishte edhe kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili tha se duhet të kujtojmë ngjarje të këtilla , që historia mos të na përsëritet sikurse  është shqetësuese që ende nuk është dhënë drejtësi për gjenocidin që ka ndodhur në Srebrenicë, dhe krimet e ndryshme edhe në Kosovë.

Ndërsa deputetja e Kuvendit të Kosovës, Emilia Rexhepi dhe nënkryetarja e Prizrenit, Memnuna Ajdini, thanë  se masakra më e madhe e pas luftës së dytë botërore në Evropë, duhet të na shërbej që të kujtojmë të gjitha viktimat e pafajshme nga dora gjakatare e shovinizmit serb.

Pjesë  e përkujtimit të kësaj ngjarje ishte edhe një grup artistik nga Tirana, me ç’rast, Rixhena Çuko, tha se kemi ardhur në Prizren që të kujtojmë masakrën e Srebrenicës duke përçuar përmes një performance artistike mesazhe paqe dhe mirëkuptimi mes popujve në gjithë globin.

Pas marshit, pjesëmarrësit janë ndalur në kejin e Shatërvanit, ku janë mbajtur fjalime dhe është shfaqur  një performancë artistike kushtuar 24 vjetorit të tmerrit të Srebrenicës.