Mbahet tryeza: “Kuadri Kushtetues i Procesit të Dialogut Kosovë – Serbi”

Sot, Instituti EPIK organizoj tryezën “Kuadri Kushtetues i Procesit të Dialogut Kosovë – Serbi”.

Gjatë fjalimeve kyçe prezantuan: Profesori i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, dhe ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, Profesori i Shkencave Politike, z. Belul Beqaj, si dhe Menaxherja e Projekteve në KDI, Jeta Krasniqi.

Në fjalë e tij, z. Hasani nënvizoj: “Kontestimi Greqi–Maqedoni e Veriut dallon në aspektin fundamental nga rasti i Kosovë-Serbi. Në rastin e fundit, kontestimi bëhet lidhur me qenien shtet të Kosovës, të cilën Serbia dhe shoqëria e saj e shohin si pjesë administrative të shtetit mesjetar serb – si një Jerusalem serb.”

Z. Beqaj në fjalën e tij tha: “Sikur ideja për ndarje të ishte paraprakisht e mbështetur nga sovrani dhe ekzistonte unanimitet të faktorëve me ndikim ndërkombëtar lidhur me këtë, atëherë përfaqësuesi i sovranit do të kishte bazë politike për të negociuar edhe çështjen e territorit si një nga elementet bazë të shtet-formimit…a nuk po nxitet me këtë qasje ideja e ndarjes me faktin se po negociojmë për ndarje?!”

Ndërsa, znj. Krasniqi potencoj: “Kuvendi të ketë rol qendror në procesin e dialogut dhe marrëveshja eventuale me Serbinë të ratifikohet me dy të tretat e votave të deputetëve. Miratimi i ligjit në mars, pamë që nuk arriti të krijoj rend kushtetues mes institucioneve. Kërkesa e delegacionit që ata të pyeten për marrëveshjen finale del përtej kornizës kushtetuese pasi është ndërhyrje në mes pushteteve”.

Gjatë tryezës, Instituti EPIK ka prezantuar studimin për kuadrin kushtetues relevant për dialogun Kosovë-Serbi. Gjatë prezantimit të studimit, Taulant Kryeziu tha: “Në këtë analizë mëtohet që të vihet brenda kuadrit kushtetues çdo negocim dhe dialogim i Kosovës me Serbinë. Arsyeja për këtë qasje ka të bëjë mbi të gjitha me faktin e thjeshtë se kushtetuta përbën dokumentin më sublim të secilës shoqëri moderne, duke përcaktuar parametrat e ushtrimit të pushtetit, formën dhe përmbajtjen e tij, rolin e individit kundrejt këtij pushteti dhe, mbi të gjitha, bartësin e sovranitetit dhe mënyrën e ushtrimit të tij”, njofton Instituti EPIK.