Meta sqaron arsyet për vendimin e anulimit të datës së zgjedhjeve vendore

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta për 40 minuta para gazetarëve sqaroi arsyet që e çuan në vendimin për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore.

Teksa renditi arsyet e dekretit, Meta veçoi edhe mitingjet e opozitës dhe antimitingjet e qeverisë.

Presidenti fajësoi dy palët politike për nxitje të dhunës dhe përçarjen mes popullit.

Andaj si Kreut i Shtetit, tha ai, që përfaqëson unitetin e popullit, nuk mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve që mund të shndërroheshin në një betejë force mes mbështetësve të dy palëve, apo një betejë mes qytetarëve dhe forcave të zbatimit të ligjit.

Teksa firmosi live dekretin në Presidencë, Meta e mbylli konferencën me simbolin kombëtar, shqiponjën.

“Presidenti i Republikës ka ndjekur të gjitha protestat e zhvilluara nga forcat opozita ashtu sikundër ka evidentuar edhe kundërpërgjigjen e mazhorancës dhe qeverisë me nëpërmjet mitingjeve të organizuara prej saj në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën kohë.Të dyja palët kanë bërë nxitje për provokime ndaj njëra-tjetrës ku shpesh herë me deklaratat e tyre i ndajnë qytetarët në dy pjesë duke vendosur kështu për shkak të bindjeve politike përballë njëri-tjetrit, të gatshëm për të demonstruar fuqinë e secilës palë.Pikërisht zhvillimi i protestave dhe deklarimeve të opozitës si dhe antimitingjet apo thirrjet kërcënuese të mazhorancës nuk japin aspak siguri për zhvillimin e zgjedhjeve të qeta, të lira dhe të ndershme, konkuruese dhe me standarde.

Nga ana tjetër në protestat e zhvilluara deri më tani nga opozita janë vërejtur elementë të dhunës ndaj forcave të rendit apo pronës publike, ndërkohë që edhe nga forcat e zbatimit të ligjit janë përdorur mjete, teknika dhe reagime në disa raste jo proporcionale.Në këtë mënyrë, nëse dita e zgjedhjeve do të shndërrohet në një betejë force mes mbështetësve të mazhoracës dhe opozitës apo në një betejë mes qytetarëve dhe organeve ligjzbatuese zgjedhjet do të humbisnin vlerën e tyre në një shoqëri demokratike dhe nga një mjet esencial i garantimit të një shoqërie demokratike do të ktheheshin në një mjet rreziku për bashkëjetësën demokratike dhe unitetin e popullit tonë. Ky rrezik duhet të ndalohet me mjete kushtetuese, ku padyshim përfshihet dhe anulimi i datës së zgjedhjeve”, tha Meta.

Kreu i Shtetit nënvizoi se përpos thirrjeve, mesazheve dhe përpjekjeve të tij por edhe miqve dhe partnerëve të përgjegjshëm ndërkombëtarë, me keqardhje konstaton se aktualisht partitë politike reflektojnë thellim të mëtejshëm të dallimeve mes tyre.

Mazhoranca shprehet e vendosur për të shkuar e vetme në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të planifikuara për zhvillim për 30 qershor 2019 pa ezauruar asnjë mundësi për zgjidhjen e krizës politike në vend, madje pa ndërmarrë asnjë hap real për të eksploruar mundësitë e arritjes së një kompromisi politik si para skadimit të afatit të regjistrimit të kandidatëve dhe partive politike në zgjedhje por edhe në vazhdimësi. Edhe opozita shprehet e vendosur se do të pamundësojë me mjete dhe forma të panjohura zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke e konsideruar zhvillimin e tyre si një provokim të rëndë që i bëhet demokracisë në vend. 

Në vlerësim të situatës që po kalon vendi dhe gjuhës së urrejtjes që po përdorin palët politike si President i Republikës evidentoj se ekziston rreziku real që Shqipëria të shkojë drejt përshkallëzimit  të paparashikueshëm të tensionit social që mund të shkaktojë pasoja të pakontrollueshme. Si Kreu i Shtetit dhe përfaqësuies i unitetit të popullit e konsideroj këtë moment si një rrezik serioz për sigurinë publike, stabilitetin demokratik për qetësinë dhe paqen sociale në vend.Detyra primare kushtetuese e Presidentit është të garantojë unitetin e popullit dhe të mbrojë vlerat dhe parimet demokratike të sanksionuara në Kushtetutë”, deklaroi Meta. /Ora News.tv/