Meta vendos – nuk ka zgjedhje lokale në Shqipëri më 30 qershor!

Nuk do të ketë zgjedhje lokale në Shqipëri më 30 qershor.

Kështu ka vendosur presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ditën e shtunë. Ai ka shfuqizuar Dekretin nr. 10928 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019.

Kjo nënkupton se zgjedhjet lokale janë shtyrë dhe nuk do të mbahen ashtu siç ishte përcaktuar të mbaheshin në ditën e fundit të muajit qershor.  

Meta është shprehur se të hënën, më 10 qershor, Institucioni i Presidentit të Shqipërisë “do të bëjë publikisht me dije të gjithë argumentat shteruese kushtetues, ligjorë dhe logjikë që çuan në marrjen e këtij vendimi.”

Më tej, në njoftimin e presidentit Meta thuhet se situata në vend është kritike si pasojë e mos-reflektimit të asnjërës palë, gjegjësisht partive në pushtet dhe atyre opozitare që janë barrikaduar në pozicionet e tyre. Për më shumë, në deklaratën e kreut të shtetit shqiptar përmendet domosdoshmëria e shtensionimit urgjent të situatës dhe rreziku i përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend.

Në deklaratën ku shfuqizohet dekreti potencohet se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve një partiake. Në këtë mënyrë minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cenohet kryesimi i OSBE-në për vitin 2020”, thuhet në deklaratën e presidentit shqiptar.

Gjithashtu, ai ka ftuar të gjithët palët vendore dhe ndërkombëtare për rivendosjen urgjente të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejt dhe që i shërben të ardhmes evropiane të Shqipërisë.