Ministri Ismaili: Për herë të parë i kemi ulur çmimet e barnave në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka raportuar sot para Komisioni Parlamentar për Shëndetësi.

Ai ka folur edhe për hartimin dhe miratimin e disa dokumentave legjislative.Me këtë rast, ministri Ismaili ka përmendur se si për herë të parë në histori të sistemit shëndetësor të Kosovës është nënshkruar Udhëzimin Administrativ për rregullimin e çmimit të barnave.

“Duke i dhënë Kosovës për herë të parë një Udhëzim të tillë Administrativ, është realizuar një kërkesë 20-vjeçare e qytetarëve dhe farmacistëve. Si një ndër dokumentet më të rëndësishme kundër abuzimit të parasë publike dhe të qytetarëve, ky Udhëzim Administrativ pritet që të shpëtoj miliona euro të taksapaguesve kosovarë”, ka thënë ministri Ismaili.

Në mungesë të këtij dokumenti, shteti ka blerë mbi 6 milionë euro më shtrenjtë barna spitalore brenda vitit, ndërsa qytetarët kanë shpenzuar nëpër barnatore rreth 10 milionë euro më shumë për barna në vit.