Në RMV nis fushata zgjedhore presidenciale

Sot, në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) zyrtarisht do të fillojë fushata për zgjedhjet e gjashta presidenciale, ndërkaq do të përfundojë më 19 prill, transmeton Portalb.mk.

Të drejtë vote kanë 1.808.131 qytetarë të RMV-së. 1.782 prej tyre të drejtën e votës do ta realizojnë në 32 përfaqësi diplomatike dhe konsullore të RMV-së.

Në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 21 prill, forcat do t’i matin tre kandidatët, të cilët sipas shortit që u tërhoq në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, në fletën e votimit, numrin 1 do ta mbajë kandidati i pavarur, Blerim Reka i cili ka mbështetjen e partive shqiptare opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, numrin dy do ta ketë kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska, ndërkaq me numrin tre do të jetë kandidati i përbashkët i 30 partive politike, Stevo Penadrovski.

Ndryshe nga dy kandidatët e parë, për Pendarovskin këto zgjedhje do të jenë përpjekja e dytë e tij për t’u ulur në kolltukun e të parit të shtetit.

Në vazhdën e fushatës, dje kandidatët nënshkruan Kodin për zgjedhje fer dhe demokratike, ku të gjithë i uruan njëri-tjetrit suksese. /Portalb.mk/