Pacolli relativizon incidentin diplomatik të Ambasadës turke, e quan ‘gabim teknik’ referimin “Kosovë e Metohi”!

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës është munduar të relativizojë skandalin e shkaktuar nga Ambasada e Turqisë në Beograd.

Përmes faqes së saj në Facebook, Ambasada turke në Serbi kishte njoftuar dje për një takim të ambasadorit turk në Beograd, Tanju Bilgiç, me të ashtuquajturit drejtor i Zyrës për Kosovë në Serbi, Marko Gjuriq.

Sidoqoftë, në njoftimin e Ambasadës turke thuhej se “ambasadori Tanju Bilgiç është takuar me Drejtorin e Zyrën për “KIM” Marko Gjuriq dhe kanë diskutuar mbi temat aktuale”. Në këtë mënyrë, vet ambasada iu kishte referuar Kosovës si “Kosovë e Metohi” duke shkaktuar incident diplomatik në marrëdhëniet diplomatike në mes të Kosovës e Turqisë.

Vetëm pas raportimit të Lajme365.com dhe presionit të ashpër publik nga ana e qytetarëve të Kosovës përmes komenteve në faqen e Ambasadës së Turqisë në rrjete sociale, kjo e fundit e kishte hequr pjesën ku referohej ‘KIM’ (‘Kosovë e Metohi’).

Sidoqoftë, për Ministrinë kosovare të Punëve të Jashtme, e cila udhëhiqet nga kryediplomati Behgjet Pacolli kjo nuk paraqet skandal. Madje, vartës të tij e kanë quajtur këtë “gabim teknik dhe keqkuptim” meqë raportet e Kosovës me Turqinë janë miqësore.

“Turqia është një vend mik dhe partner i Kosovës. Është ndër të parat që ka njohur Kosovën dhe ka mbështetur njohjen tonë ndërkombëtare. Gabimet teknike dhe keqkuptimet nuk ndikojnë në lidhjen e miqësisë sonë dhe nuk janë pasqyrë e cilësisë së partneritetit tonë që është i fortë”, ka shkruar në rrjetet sociale, këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Jetlir Zyberaj.

Është e rëndësishme të theksohet që ky reagim nga Ministria e Punëve të Jashtme vjen vetëm pas presionit medial e publik për të cilin raportoi e para Lajme365.com.