Partia Socialiste kërkon shkarkimin e Metës

Partia Socialiste ka mbledhur sot kryesinë e saj, ku është vendosur që ditën e enjte, në Kuvendin e Shqipërisë, të iniciojnë procedurën parlamentare për shkarkimin e presidentit, duke e quajtur “brutal” vendimin e tij për anulimin e zgjedhjeve.

“Kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur që të enjten në Kuvend të zhvillojë një debat të gjatë parlamentar duke shtjelluar të gjithë argumentat se si Ilir Meta ka sulmuar brutalisht Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës dhe në asnjë Kushtetutë dhe aq më pak këtu, të quajtur ‘çdekretim’”, tha Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentit, Elisa Spiropali.

Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, përmes rrjeteve sociale ka thënë se vendimi i presidentit për anulim të mbajtjes së zgjedhjeve lokale vjen si rezultat se “në Shqipëri sundon një qeveri e zgjedhur nga mafia dhe jo nga populli”.

“Vendimi për anulimin e 30 qershorit u diktua nga bashkimi më i madh shqiptarëve për të mos pranuar kurrë më një proces monist dhe kriminal të bandës që sot ka vjedhur pushtetin dhe për të mbrojtur standardet dhe vlerat evropiane”, shkruan Basha.

Vendimi i presidentit vjen pasi vendi ndodhet në krizë të thellë politike.

Partia Socialiste, e cila udhëheq vendin pa koalicion, me shumicë të ulëseve në Parlament synon të shkojë e vetme në zgjedhje, ndërsa partitë opozitare dhe aleatët e tyre të djathtë kanë bojkotuar pjesëmarrjen dhe kanë thënë se do të pamundësojnë mbajtjen e tyre./Radio Evropa e Lirë/