Policia arreston dy persona në Deçan, konfiskon mijëra paketime barnash pa banderola

Policia e Kosovës ka arrestuar gjatë ditës së premte dy persona në Deçan si të dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’.

Të arrestuarit janë G.H., i lindur më 1957 dhe J.P., i lindur më 1986. Sipas policisë, që të dy këta të arrestuar janë meshkuj dhe i përkasin nacionalitetit shqiptar.

Me këtë rast, policia ka njoftuar se Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Pejë, e asistuar edhe nga Inspektoret Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë ekzekutuar Urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë, Dega Deçan, për kontroll në dy barnatore që dyshohej se posedonin dhe shisnin barna pa banderola të Republikës së Kosovës.

“Në njërën barnatore janë konfiskuar 378 (treqind e shtatëdhjetë e tetë) paketime të llojeve të ndryshme të medikamenteve dhe në një barnatore tjetër janë konfiskuar 1028 (njëmijë e njëzet e tetë) paketime të llojeve të ndryshme të medikamenteve, pra gjithsej 1406 (një mijë e katër qind e gjashtë) paketime” thuhet në komunikatën për media të Policisë së Kosovës.

Kjo e fundit ka njoftuar se dy të dyshuarit me aktvendim të prokurorit dërgohen në mbajtje për 48 orë.