QKMF-ja në Drenas pranon pajisje mjekësore

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Drenas “Dr.Hafir Shala” ka pranuar aparaturë mjekësore për të gjithë sektorët e mjekësisë familjare, 2 analizer biokimik, 2 karrige stomatologjike, 1 aparat ctg, 1 aparat të rtg dental dhe 1 aparat oksigjeno koncentratorë.

Këto pajisje mjekësore janë në kuadër të donacionit përfitues të Ministrisë së Shëndetësisë për Komunën e Drenasit me pajisje mjekësore në vlerë të përgjithshme mbi 80 mijë euro.

Ne kuadër të këtij donacioni përfitues, ditëve në vazhdim do të sillen edhe pajisje tjera, 3 oksigjeno koncentratorë, 5 aparate EKG, 1 aparat për ultrazë gjinekologjik, 5 aparatura hematologjike ( numërues ) dhe 3 shtretër për sallën e lindjes. Këto pajisje janë donacion sipas kërkesës me projekte të Komunës së Drenasit drejtuar në Ministrinë e Shëndetësisë, bazuar në udhëzimin administrativ MSH Nr.08/2017, si pajisje të domosdoshme për punë nomale, profesionale-shëndetësore.

QKMF-ja “Dr.Hafir Shala” në Drenas gjithashtu është përfituese e investimeve nga AQH-Project, për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, cilësore dhe të qasshme, ku pacientët janë në qendër të vëmendjes të ekipit nga mjekësia familjare.

Kujtojmë se QKMF-ja në Drenas do të pajiset shumë shpejt edhe me Mamograf, donacion nga Qeveria Japoneze që ka vlerën rreth 70 mijë euro.

Ndërsa, muaj me parë, QKMF-ja në Drenas është pajisur edhe me sistemin me të avancuar të digjitalizimit, donacion nga Banka Botërore e implementuar nga Ministria e Shëndetësisë, njofton faqja zyrtare e kësaj Komune..