Qytetarët janë furnizuar me ujë nga gypat e vendosur para 61 vitesh

Qytetarët e Komunës së Prizrenit me vite të tëra ankohen në qeveritë komunale për anashkalim të qytetit nga investimet në infrastrukturë.

Një nga problemet më të mëdha të qytetit të Prizrenit mbetet rrjeti i pamjaftueshëm i ujësjellësit në lagje të reja dhe rrjeti i stërvjetëruar i ujësjellësit në lagje të vjetra të qytetit.

Si pasojë e një problemi teknik të paraqitur në njërën nga nyjet kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm në lagjen Ralin, është konstatuar se gypat e ujësjellësit janë vendosur në vitin 1958. Fotografitë e publikuara nga Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, dëshmojnë për gjendjen e rëndë të rrjetit të ujësjellësit në Prizren.

No photo description available.

“Reduktimet momentale të ujit janë për shkak të punimeve që po bëhen për ndërrimin e nyjeve të gypave të ujësjellsit. Sot në lagjen Ralin u ndërruan nyjet të cilat ishin të vendosur në vitin 1958, pra para 61 vitesh dhe kanë shkaktuar humbje në rrjet”, ka shkruar Haskuka në një postim në profilin e tij në rrjete sociale.

Intervenimi i ekipeve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka mundësuar zëvendësimin e pjesës së dëmtuar, por me këtë nuk eliminohet shqetësimet dhe dilemat e shumta mbi gjendjen e rrjetit në pjesë tjera të qytetit.

Viteve të kaluara, eskpertët kanë ngritur shqetësimin e tyre mbi vazhdimin e përdorimit të gypave të asbestit për furnizim me ujë në Prizren të cilat janë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.