Rama i kundërpërgjigjet Metës: Zgjedhjet lokale do të mbahen më 30 qershor!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është kundërpërgjigjur nga Berati presidentit Ilir Meta pas vendimit të marrë nga ky i fundit për shtyrjen e zgjedhjeve lokale në Shqipëri që janë planifikuar të mbahen më 30 qershor.

Në fushatën parazgjedhore të Partisë Sociale në këtë qytet, Rama deklaroi se më 30 qershor do të votohet në Shqipëri pavarësisht vendimit të presidentit Meta duke thënë se “zgjedhjet janë të popullit, as të partive as të presidentit.”

“Ju them se zgjedhjet do bëhen në 30 qershor. Nuk jam i befasuar, e prisja edhe këtë dhe nuk është asgjë veçse mbyllja e një rrethi të një plani të bërë me kohë, për një arsye të vetme, për arsyen se nuk kërkohet shtyrja e zgjedhjeve, kërkohet marrja zvarrë e qeverisë e varrimi i reformës në drejtësi. Por as qeverinë s’e marrin zvarrë, as reformën se varrosin dot”, ka deklaruar Rama, raportojnë mediat e Shqipërisë.