Rektori i ri i Universitetit të Gjakovës, Artan Nimani, jep dorëheqje nga PDK

Anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, Artan Nimani, i zgjedhur rektor i ri i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga PDK-ja.

Sipas tij, dorëheqjen e ka ofruar kohë më parë kur ishte zgjedhur prorektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.

“Jam i nderuar që isha pjesë e strukturave të PDK-së, që bashkëpunuam për shumë vite në të gjitha nivelet e organizimit, me subjektin që dha shumë për vendin dhe kombin. Falenderoj kryetarin Veseli dhe Beqa për mirëkuptim, me rastin e dorëheqjes nga momenti i zgjedhjes sime Prorektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. Nga ajo kohë, unë me tërë qenien time jam fokusuar në zhvillimin dhe menaxhimin e Universitetit. Do të vazhdoj deri më 1 tetor, kur zyrtarisht pranoj obligimet e reja në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, thuhet në një shkrim të Nimanit publikuar në mediat sociale.

Ai ka theksuar në pozitën e rektorit të Universitetit të Gjakovës është zgjedhur “në mënyrë demokratike” dhe u zotua se “do të punoj me përkushtim për të ngritur dhe avancuar këtë tempull të dijes!”

Përndryshe, deri më tash, Nimani ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së duke mbajtur pozita të rëndësishme si përfaqësues i PDK-së, ndërsa ishte kandidat i kësaj partie në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2017 për kryetar të Gjakovës.

Së fundi, në mediat kosovare, kanë qarkulluar foto të Nimanit me të dyshuarin dhe protagonistin e fajdeve në Kosovë, Rrahim Hashimi, i arrestuara para pak muajsh nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kryer veprën penale për mashtrim, shantazh dhe detyrim.