Rugova: Na duhen edhe tri vota për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Partitë opozitare në Kosovë deri më tani kanë arritur t’i mbledhin 58 nënshkrime të deputetëve për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.  

Kështu ka deklaruar deputeti i LDK-së, Naser Rugova, sipas të cilit opozita është në “gjah” edhe të tri votave të tjera për rrëzimin e Qeverisë aktuale.

Ai ka bërë të ditur se negociatat për rrëzimin e koalicionit qeverisës përfshijnë edhe deputetë të partive që janë në pushtet.

“I kemi 58 nënshkrime dhe na duhen edhe tri të tjera. Jemi duke biseduar edhe me partnerë brenda koalicionit. Me Nismën dhe të tjerë, por absolutisht jo me PDK-në. Po t’i kishim 61 nënshkrime do ta procedonim mocionin qysh sonte për rrëzimin e kësaj qeverie”, ka thënë Rugova, transmeton Telegrafi.