Serbia bojkoton takimin në NATO për shkak të Kosovës

Serbia vazhdon të bojkotojë takimet në organizatat ndërkombëtare në të cilat përfaqësohet Kosova.

Këtë herë serbët kanë lëshuar Takimin e Normalizimit të Aviacionit në Ballkan, e cila është mbajtur të enjten, në selinë qendrore të NATO-s, në Bruksel.

Kosova, në takim, përfaqësohej nga z/ministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve të Kosovës.

Ndërkaq, shefi i delegacionit serb, Predrag Bandiq, e kishte lëshuar këtë takim në NATO pas përfundimit të fjalieve të përfaqësuesve të Kosovës.

Ramadani i cili është edhe Koordinator i Komitetit Nacional për Integrim dhe Anëtarësim të Kosovës në NATO, ka deklaruar për Lajmi.net se ndjen keqardhje për largimin nga salla e takimit të përfaqësuesit të Serbisë.

“Jam i sigurt që Kosova ka përfaqësuar veten në formë konstruktive. Pra, ne jemi konstruktiv dhe të vendosur për bashkëpunim rajonal, bashkëpunim me NATO-n”, ka thënë Ramadani.

Ndërkohë, delegacioni kosovar ishte për vizitë në NATO lidhur me hapjen e hapësirë së ulët ajrore për të mundësuar uljen e kostove të çmimeve të biletave të fluturimit për qytetarët e Kosovës.

“Kosova është plotësisht e vullnetshme për të punuar me NATO-n dhe KFOR-in në kornizën kohore të dakorduar, në mënyrë që të përfundojmë situatën e deritashme të paarsyeshme. Hapja e hapësirës së ulët ajrore do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në koston e çmimeve dhe kohëzgjatjen e fluturimeve, rrjedhimisht në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve tanë”, ka shkruar ndër të tjera zv/ministri Ramadani, në Facebook.