Sherifi i reagon Haradinajt, raportet e Nismës me AAK kanë ndryshuar

Marrëdhëniet ndërmjet AAK-së së Ramush Haradinajt dhe Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt kanë ndryshuar dhe nuk janë siç kanë qenë më parë.

Kështu ka deklaruar shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, duke përgënjeshtruar Haradinajn që deklaroi se raportet ndërmjet tyre janë të shkëlqyera.

“Marrëdhëniet nuk janë siç kanë qenë, por nuk janë edhe siç flitet. Raportet personale nuk mund të prishen asnjëherë, por ato politike nuk janë si më parë”, ka theksuar Sherifi, raporton Telegrafi.

Ky zyrtar i lartë i partisë së Limajt ka shtuar se raportet politike me AAK-në mund të ndryshojnë nëse nuk ka ndonjë reflektim mes partnerëve. Ndërsa, nuk dihet nëse ky ndryshim raportesh mund të cojë deri tek prishja e koalicionit aktual qeverisës, ku pos AAK-së e Nismës, në koalicion janë edhe PDK-ja dhe AKR-ja.

Ai ka mohuar se Nisma do t’i bashkohet PDK-së së Kadri Veselit.