S’ka shpresa që Kosova do të anëtarësohet këtë vit në INTERPOL

Edhe pse diplomacia kosovare dështoi në mënyra spektakolare vitin e kaluar të anëtarësojë vendin në INTERPOL, duket se institucionet kosovare nuk e kanë marrë seriozisht këtë cështje as për këtë vit.

Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it ka vendosur të dërgojë dosjen e Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që sivjet do të mbahet në Kili, raporton Kosova Press.

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ditë më parë tha se Policia e Kosovës u cilësua në nivelin më të parë të profesionalizmit dhe kredibilitetit, si organizatë policore moderne dhe me standarde të avancuara.

Pacolli njoftoi se Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it në Francë, ka debatuar rreth aplikacionit të Republikës së Kosovës dhe ka vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani shpreson që përpjekja e shtetit të Kosovës, edhe njëherë, për anëtarësim në INTERPOL, mos të ketë qenë edhe një hap tjetër jo i koordinuar mirë.

Sipas saj, çakordimi në fushën e politikës së jashtme mund të rezultojë me një katastrofë totale për imazhin e Kosovës në botë dhe procesin e shtet-ndërtimit.

Njohësit e sigurisë dhe çështjeve politike në vend, nuk po shohin shumë shpresë që Kosova do të arrijë sivjet anëtarësimin në organizatën ndërkombëtare më të madhe të policisë, meqë sipas tyre nuk është punuar mjaftueshëm në këtë drejtim.

Sipas tyre, nuk janë nxjerrë mësimet e duhura nga gabimet e vitit të kaluar, kur Kosova dështoi t’i bashkohet INTERPOL-it.

Njohësi i cështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, konsideron se vetëm lobimi i duhur mund të sjell rezultate.

Ai thotë se nëse bëhet një strategji, një plan i veprimit dhe angazhohen kapacitetet e jashtme, Kosova mund të ia dalë.

Megjithatë, për ish-deputetin Ibishi, nuk po shihet se ka lobim të duhur nga institucionet e Kosovës. Ai thotë se nuk duhet humbur shpresa, ndërsa sipas tij, vëmendja duhet të drejtohet në lobimin e shteteve mike.