Skandaloze: Daçiq fyen rëndë Çitakun në OKB! (Video)

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, më në fund ka treguar nervozizmin e tij të hënën ndaj Kosovës, në përmbyllje të punimeve të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me theks të veçantë ndaj ambasadores Vlora Çitaku.

Protagonist kryesor i këtyre skenave ishte Daçiq që ka ofenduar Çitakun.

Për këtë ka njoftuar kjo e fundit, në profilin e saj, në Facebook, e cila ishte e pranishme gjatë tërë mbledhjes.

Derisa Çitaku ende ishte në ulësen e saj duke diskutuar me përfaqësuesit e delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atij të Britanisë së Madhe, nga ana tjeter, Daçiq, i ngritur në këmbë, shkarkoi mllefin e tij prapa shpinës së saj.

Ai madje duke bërtitur ofendoi ambasadoren kosovare dhe delegacionin e Kosovës.

“Njerëzit me të cilët je ulur janë kolonizuesit tuaj” dëgjohet duke bërtitur Daçiq duke iu referuar në këtë mënyrë amerikanëve dhe britanikëve, ka bërë të ditur Çitaku.