SPRTK: Po tentohet të manipulohet procesi i zgjedhjes së drejtorit të RTK-së

Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës ka reaguar pas dështimit të dytë për ta zgjedhur drejtorin e RTK-së. Kjo Sindikatë ka publikuar shqetësimin lidhur me mënyrën se si po tentohet të zgjidhet drejtori gjeneral i RTK-së.

Në reagimin dërguar në adresë të mediave thuhet se presioni për të votuar me vota të hapura nuk shpjegohet ndryshe përveç se përpjekje për manipulim të procesit.

“Zvarritja e votimit po bëhet me qëllim të rritjes së presionit ndaj disa anëtarëve të Bordit që të votojnë kundër bindjeve të tyre. SPRTK i fton anëtarët e Bordit që të mos dorëzohen para presionit dhe shantazhit, dhe të gjitha këto t’i bëjnë publike”, shkruan në reagim.

Gjithashtu ka kërkuar veprim nga deputetët e Kuvendit. “SPRTK kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të angazhohen që RTK ta ketë një Bord të Pavarur, profesional dhe të pandikuar në punën e tyre. Më shume se asnjëherë më parë kjo do të mund të realizohet tani, pasi që pothuajse gjysma e Bordit të RTK-së janë në proces të rizgjedhjes”, shkruan në reagimin e SPRTK.