Sri Lanka bllokon rrjetet sociale

Sri Lanka të hënën bllokoi rrjetet sociale dhe aplikacionet e mesazheve, përfshirë Facebook-un dhe WhatsApp për të penguar përhapjen e thashethemeve.

Siç shkruan e përditshmja me seli në Kolombo, Daily Mirror, bllokimi është ndërmarrë pas sulmeve ndaj xhamive dhe bizneseve në pronësi të muslimanëve, pas trazirave të cilat shpërthyen pas sulmit nga militantët gjatë Pashkëve.

“Vendimi për të ndaluar rrjetet sociale është marrë në përpjekje për të ndaluar përhapjen e thashethemeve pas dhunës që shpërtheu në qytetet Chilaw dhe Kuliyapitiya në mbrëmjen e së dielës”, shkruan gazeta duke cituar një kumtesë të qeverisë së Sri Lankës, raporton Anadoly Agency.

Operatori kryesor i telefonisë celulare në Sri Lanka, informoi përdoruesit e tij përmes Twitterit se ka marrë urdhër për të bllokuar aplikacionet si Viber, IMO, Snapchat, Instagram dhe Youtube.

Vendi me shumicë budiste po përballet me një situatë të tensionuar pas sulmeve terroriste të së dielës së Pashkëve në Kolombo, ku si pasojë mbetën të vrarë mbi 250 persona, shumica të krishterë.

Raportet thonë se të dielën shpërtheu dhunë në qytetin Chilaw me shumicë katolike, pasi një banor “keqkuptoi” një postim në Facebook, të cilin e mori si një kërcënim kundër të krishterëve.

Kujtojmë se të dielën e Pashkëve në orët e para të mëngjesit në Sri Lankë u kryen sulme ndaj një kishe në Batticaloa, ndaj kishave St. Anthony’s në Kochchikade dhe St.Sebastian në Katana si dhe ndaj hoteleve me pesë yje Shangri-La, Cinnamon Grand dhe Kingsbury në kryeqytetin Kolombo, raporton Anadoly Agency.