Thaçi ndan medalje presidenciale për kultivuesin e muzikës folklorike, Imer Gashi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nderuar me “Medaljen Presidenciale të Meritave” Imer Gashin, kultivues i muzikës folklorike dhe ruajtës i vlerave dhe traditave kombëtare shqiptare.

Njoftimin për ndarjen e këtij çmimi e ka publikuar vetë Presidenti Thaçi, përmes një postimi në profilin e tij në rrjete sociale.

“Me Medaljen Presidenciale të Meritave sot e dekorova Imer Gashin, kultivues i kamotshëm i muzikës folklorike dhe ruajtës i vlerave dhe traditave tona kombëtare. Imeri është djali i Sefë Mleqanit dhe së bashku me vëllezërit e tij, njërin prej tyre Hero të Kosovës, me këngë dhe pushkë frymëzuan gjenerata të tëra për t’i dalë në mbrojtje atdheut. Familja e Sefë Mleqanit ishte vatër e atdhetarizmit edhe gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”, ka shkruar Presidenti Thaçi.