Turqit e Kosovës ndihen të ofenduar nga vendimi i Turqisë

Qytetarët e komunitetit turk në Kosovë ndihen të ofenduar nga vendimi i fundit i Turqisë, për lirim nga pagesat për studime në universitetet publike të këtij shteti të të gjithë nxënësve që diplomojnë në njërën nga shkollat private turke që veprojnë në Kosovë.

Vendimin e tillë të shtetit turk e ka konfirmuar Ambasadori i këtij shteti në Kosovë Çagri Sakar. Portali në gjuhën turke “kosovahaber.com”, citon Ambasadorin Sakar të ketë deklaruar se “të gjithë nxënësit të cilët diplomojnë në këtë shkollë, do të kenë mundësi që studimet e tyre në universitetet publike të Turqisë t’i vazhdojnë pa pagesë”. Sakar një vendim të tillë të shtetit të cilin e përfaqëson e ka bërë publike gjatë ceremonisë së diplomimit të nxënësve në një shkollë private turke që vepron në Kosovë.

Nga ky vendim i shtetit turk, janë ndier të ofenduar pjesëtarët e këtij komuniteti që jetojnë në Kosovë. Rrjetet sociale kanë vërshuar nga komentet e shumta të prindërve të nëxënësve të komunitetit turk, të cilët edukimin e tyre janë duke e vazhduar në institucionet publike arsimore të Republikës së Kosovës apo edhe në shkollat tjera private turke në Kosovë.

Vendimin e Turqisë ata e kanë cilësuar si diskriminues ndaj pjesëtarëve të komunitetit turk në Kosovë, që është dekurajuese ndaj arsimimit në gjuhën turke dhe arsimimit në institucionet publike në gjuhën turke në Kosovë.

Prindërit e nxënësve të komunitetit turk, vendimin e Turqisë, në mes tjerash, e kanë cilësuar edhe si favorizues ndaj të shtresave të pasura të shoqërisë në Kosovë dhe ndëshkim për ato familje që jetojnë në gjendje të rënduar ekonomike dhe sociale.