Venezuelë, lideri opozitar kërkon bashkëpunim me ushtrinë amerikane

Kreu i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Juan Guaido, i cili është vetëshpallur president i përkohshëm i vendit, ka urdhëruar përfaqësuesin e tij të zhvillojë takime për “bashkëpunim” me ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një tubim protestues në kryeqytetin Caracas me rastin e arrestimit të zëvendëskryetarit të asamblesë Edgar Zambrano për rolin në tentativën e pasuksesshme për grusht shteti më 30 prill, Guaido tha se ka udhëzuar përfaqësuesin e tij në SHBA Carlos Vecchio të takohet me Komandantin Jugor të Ushtrisë së SHBA-së, Craig Faller.

“Kërkova nga ambasadori Vecchio që sa më parë të takohet me Komandantin Jugor, Admiral Craig Faller, me qëllim që të vendosen raporte të drejtpërdrejta dhe të arrihet një marrëveshje”, tha Guaido, duke mos dhënë detaje se çfarë ka nënkuptuar me “bashkëpunimin” dhe “raportet e drejtpërdrejta”.

Guaido, i cili foli para një turme më të vogël në krahasim me tubimet e tjera, pohoi se në Venezuelë ka elemente të Ushtrisë Çlirimitare Kombëtare (ELN) nga Kolumbia, organizatë majtiste rebele e armatosur, dhe elemente nga Kuba, duke shtuar se kjo prani nënkupton pushtim.

Më 9 maj, Komanda Jugore shpërndau në Twitter pritjet e Faller-it për një ftesë të Guaidos për të biseduar me mbështetësit e tij brenda ushtrisë së Venezuelës.

Më 30 prill, kreu i opozitës Juan Guaido publikoi ​​një video në Twitter në të cilën ai gjendej pranë një grupi ushtarësh, duke bërë thirrje për kryengritje për të përmbysur presidentin Nicolas Maduro.

Maduro, nga ana tjetër, ka thënë se pjesëmarrësit në kryengritjen e pasuksesshme nuk do të ngelin pa u ndëshkuar dhe ka falënderuar ushtarët për besnikërinë.

Venezuela është tronditur nga protestat që nga 10 janari, kur Maduro u betua për një mandat të dytë pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita.

Tensionet u përshkallëzuan kur Guaido, i cili kryeson Asamblenë Kombëtare të Venezuelës, u vetëshpall si president i përkohshëm më 23 janar, një veprim i cili u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine, raporton Anadolu Agency (AA).