Zaev: Kosova do t’ia jap 10 komuna Serbisë, prapa idesë së shkëmbimit të territoreve qëndron Rusia!

Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, ka rënë pre e talljeve dhe mashtrimit të dy komikëve rusë, Vladimir Kuznecov dhe Aleksej Stolarov.

Në një video të publikuar, Zaev flet për çështje të ndryshme me ta dhe ndër të tjera diskuton gjerë e gjatë edhe për raportet e Kosovës me Serbinë, me theks të veçantë për idenë e presidentëve Thaçi dhe Vuçiq lidhur me shkëmbimin e territoreve, gjegjësisht mundësinë e ndryshimit të kufijve në Ballkan.

Duke menduar se po bisedonte me ish-presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, shefi i qeverisë maqedonase ka ngritur alarmin se mbrapa idesë së shkëmbimit të territoreve qëndron Rusia për arritjen e qëllimeve të veta. Ndërsa, ka shprehur kundërshtimin e tij të hapur ndaj një opsioni të tillë.

“Unë dua të ndaj një shqetësim që kam, për diçka që po ndodh këtu në rajonin tonë, ku presidenti i Serbisë dhe presidenti i Kosovës, kanë nisur disa negociata për ndarjen e territoreve dhe ndryshimin e kufijve. Ne jemi shumë kundër kësaj, kancelarja Merkel është shumë kundër kësaj, i gjithë rajoni është kundër, sepse ne kemi frikë se ka disa qëllime të fshehura të Rusisë për ta përdorur këtë si një praktikë ndërkombëtare. E shoh që dikush kërkon ta përdorë këtë fenomen si një praktikë të re ndërkombëtare për t’i ndryshuar kufijtë dhe që janë vende që kanë plane të lidhura në këtë drejtim, siç është rasti i Turqisë me Qipron apo si Rusia me Abkazinë dhe Krimenë. Unë jam shumë i shqetësuar se këto lloj hapash do të përbëjnë një dëm të madh, si për rajonin tuaj ashtu edhe për tonin”, ka thënë gjatë Zaev kësaj bisede telefonike, raporton KTV.

Jo vetëm kaq, por kryeministri Zaev shpalos hollësi të marrëveshjes Kosovë-Serbi duke përmendur se dhjetë komuna të Kosovës do t’i jepen Serbisë dhe disa komuna të tjera të Serbisë do t’i kalojnë Kosovë.

Rrjedhimisht, sipas tij, kjo do të sjellë një luftë të re në rajon

“Serbia është shumë e lidhur me Rusinë, normalisht që ata e kanë atë lloj raporti. Por, aktualisht, problemi është me Kosovën. Mbase ju e dini këtë çështje. Zgjidhja që po diskutojnë është që 10 komuna në pjesën veriore të Kosovës t’i jepen Serbisë dhe disa komuna në jug të Serbisë t’i jepen Kosovës. Ky është ndryshim kufijsh dhe nuk është i mundur, sepse përtej vijave të reja kufitare sërish ka, andej e këtej kufirit, si serbë, edhe kosovarë, dhe kjo vetëm se do të prodhonte luftëra. Ballkani do të ishte sërish një bombë e kurdisur. Por, përtej kësaj, unë kam parë aktivitete të mundshme të fshehura, ndoshta unë jam gabim, por ne duhet të jemi të fokusuar, sepse disa forca në Rusi, por edhe Turqia kërkojnë ta përdorin këtë si një praktikë të re ndërkombëtare – Rusia për Abkazinë dhe Turqia për Qipron dhe problemet që kanë me Greqinë”, ka shtuar Zaev.

Nga ana tjetër, Zaev ka pranuar se ka qenë i mashtruar nga komikët rusë, duke thënë se ka qenë viktimë e sinqeritetit të tij.

“Jam i detyruar të njoftoj se jam bërë pjesë e të mashtruarve nga një strukturë e përgatitur mirë. Kjo është strukturë që përgatiten ndaj vendeve me aspirata euroatlantike. Nuk është e vështirë të vlerësohet si e tillë, pasi del nga mediume kundër NATO-s dhe BE-së. Në të njëjtën mënyrë u mashtrua edhe presidenti francez Emmanuel Macron, gjithashtu edhe ministri britanik Boris Johnson, si dhe presidenti turk Recep Taip Erdogan. Kjo tregon se jam në shoqëri të mirë”, ka deklaruar Zaev në një konferencë për media.