10 gjërat e reja që shkencëtarët kanë mësuar për vdekjen

Vdekja është parë si një mister i madh nga kultura të ndryshme për shekuj me radhë. Por, shkenca moderne e ka demistifikuar përmes zbulimit të proceseve biologjike të tij, e megjithatë disa pyetje mbeten pa përgjigje.

Cilat janë dhjetë gjërat e reja që i kemi mësuar tashmë – me anë të shkencës – për vdekjen?

Ju jeni krejt të vetëdijshëm se po vdisni

Shumë prej nesh e imagjinojmë vdekjen si çastin kur biem në gjumë. Keq që nuk është bash kështu.

Dr. Sam Parnia, drejtori i kujdesit kritik në NYU Langone Medical Center, pas hulumtimit që i ka bërë vdekjes ka treguar se vetëdija jonë është aty derisa vdesim. Kjo është për shkak të valëve të trurit që ndizen në korteksin cerebral – vetëdija, pjesa menduese e trurit – për gati 20 sekodna pas vdekjes klinike.

Studimet me minjtë laboratorikë kanë treguar se aktiviteti i trurit rritet në çastet para vdekjes, gjë që rezulton në një gjendje shumë të vetëdijshme dhe shumë vigjilente. Nëse kjo ndodh te njerëzit, mund të jetë provë që truri e mban vetëdijen të kthjellët në fazat e hershme të vdekjes. Po ashtu kjo shpjegon se si pacientët që shpëtojnë për pak arrijnë të kujtojnë momentet që ndodhën derisa ata ishin teknikisht të vdekur.

Truri i zombive përnjëmend ekziston

Së fundi, në Shkollën e Mjekësisë së Yale, hulumtuesit morën 32 trurë të vdekur të derrave afër një thertoreje. Jo, s’kishim të bënim me ndonjë taktikë intimidimi alla-Mafia. Shkencëtarët kishin shpresë se do t’i ringjallnin trurët e terrave.

Ata i lidhën trutë në fjalë me një sistem artificial perfuzioni të quajtur BrainEx. Ajo pompoi një zgjidhje përmes tyre që imitonte qarkullimin e gjakut, duke sjellë oksigjen dhe nutricientë indet inerte.

Ky sistem rivitalizoi trurët dhe i mbajti disa prej qelizave të tyre “gjallë” për 36 orë pas vdekjes. Qelizat konsumuan dhe metabolizuan sheqer. Sistemet imunitare trunore madje u kthyen në jetë.

Qëllimi i vërtetë i shkencëtarëve të Yale ishte të dizajnonte teknologjinë që do të na ndihmonte për të studiuar trurin dhe funksionet e tij qelizore më gjatë dhe më mirë.

Vdekja nuk është fundi (për një pjesë të vogël në ju)

Ka jetë pas vdekjes. Jo, shkenca nuk ka zbuluar prova të jetës pas vdekjes apo sa peshon shpirti. Por gjenet tona vazhdojnë të jetojnë edhe pasi shuhemi.

Një studim i publikuar në Open Biology tregonte pasqyrimin e gjeneve te minjtë e vdekur dhe te zebrapeshqit. Hulumtuesit nuk e dinin nëse pasqyrimi i gjeneve pakësohej apo ndalohej krejt. Ajo që zbuluan i kishte befasuar. Mijëra gjene bëheshin në fakt më aktive pas vdekjes. Në disa raste, kishte pasqyrime që zgjasnin deri në katër ditë.

“Nuk e kishim pritur një gjë të tillë,” kishte thënë Peter Noble.

Energjia juaj vazhdon jetën pas vdekjes suaj

Edhe gjenet tona do të shuhen, e gjithçka që jemi do të bëhet hi. A ju duket i rëndë ky fat? Nuk jeni vetë në këtë përjetim, por ndoshta do të ngushëlloheni në faktin që një pjesë e juaja do të vazhdojë të jetojë edhe pas vdekjes suaj. Energjia.

Sipas ligjit të parë të termodinamikës, energjia që mundëson krejt jetën vazhdon dhe nuk mund të shkatërrohet asnjëherë. Ajo transformohet. Kështu e shpjegon fizikani e komediani Aaron Freeman në librin e tij “Eulogji nga një fizikan”.

“Do të donit që nëna juaj që qan për ju ta dijë ligjin e parë të termodinamikës; që kurrfarë energjie nuk krijohet në univers, dhe kurrfarë energjie nuk shkatërrohet. Do të donit që nëna juaj ta dijë që krejt energjia juaj, krejt vibracioni, krejt valët e çdo thërmije që ishte fëmija i saj mbeten me të në këtë botë.”

Përvojat e pranë-vdekjes mund të jenë thjesht ëndrra ekstreme

Përvojat e pranë-vdekjes mund të vijnë në shumë stile. Disa njerëz notojnë mbi trupat e tyre. Disa arrijnë në një vend mbinatyror dhe takojnë të afërmit që kanë ndërruar jetë. Disa të tjerë hyjnë në tunele të errëta. Të gjithë kanë një gjë të përbashkët: s’e dimë se çka po ndodh.

Një studim i publikuar në Neurologji tregon që përvojat e pranë-vdekjes vijnë nga një tip i gjendjes zgjuar-fjetur. Ai krahason të mbijetuarit që kishin përvoja të pranë-vdekjes me ata që nuk kishin. Hulumtuesit gjetën se njerëzit me përvoja pranë-vdekjes ishte më e mundshme t’i nënshtroheshin ndërhyrjeve REM, gjendjeve në të cilat gjumi ndërhyn në vetëdijen tuaj sa jeni të zgjuar.

A kukasin për të vdekurit e tyre edhe kafshët tjera si ne?

Nuk e dimë ende, por dëshmitarët okularë thonë që përgjigja mund të jetë PO.

Hulumtuesit nga terreni kanë qenë dëshmitarë të skenave ku elefantët kanë qëndruar me të vdekurit – edhe nëse të vdekurit nuk ishin prej së njëjtit fis. Ky observim bëri që hulumtuesit të konkludonin se elefantët kishin një “përgjigje të gjeneralizuar” ndaj vdekjes. Edhe delfinët janë parë duke i ruajtur anëtarët e vdekur të specieve të tyre.

Por, duhet thënë që speciet tjera nuk janë parë duke mbajtur të pame apo rituale tjera përkujtuese për të vdekurit.

Kush i varrosnin të parët të vdekurit?

Antropologu Donald Brown ka studiuar kulturat njerëzore dhe ka zbuluar qindra tipare të përbashkëta që ndajnë.

Mes tyre, çdo kulturë ka mënyrën e saj se si nderon dhe vajton të vdekurit.

Por, kush ishin të parët? Njerëzit apo të tjerë homininë në prejardhjen tonë antike? Edhe pse përgjigja është e vështirë të ofrohet, ka një kandidat të fortë: Homo naledin.

Sindroma e kufomës që ecën

Për shumë prej nesh, vija që ndan jetën dhe vdekjen është e ngurtë. Jemi gjallë; prandaj, nuk jemi të vdekur. Është një nocion që e marrim të mirëqenë, dhe duhet të jemi falenderuaes për një gjë të tillë.

Njerëzit e prekur nga sindromi i Cotardit nuk e shohin këtë ndarje aq qartë. Ky sindrom i rrallë së pari ishte përshkruar nga Dr. Jules Cotard më 1882 dhe flet për njerëzit që besojnë se janë të vdekur, që u mungojnë gjymtyrë të caktuara, apo që kanë humbur shpirtin. Ky deluzion nihilist manifestohet në sensin e përhapur të mungesës së shpresës, neglizhencës ndaj shëndetit dhe vështirësive në pranimin e realitetit të jashtëm.

Në një rast, një grua filipinase me këtë sindrom besonte që mbante erë si peshku i vdekur dhe donte që të çohej në morg që të bëhej bashkë me kufomat, pra sojin e saj. Për fat të mirë, antipsikotikët dhe antidepresantët i kishin përmirësuar gjendjen.

A rriten thonjtë dhe flokët pas vdekjes?

Jo. Ky është mit, por i tillë që ka origjinën te biologjia.

Arsyeja pse flokët dhe thonjtë e gishtave nuk rriten pas vdekjes është sepse nuk mund të prodhohen qeliza të reja.

Pse vdesim?

Njerëzit që jetojnë 110 vjet, që quhen super-shekullorë, janë farë e rrallë. Ata që jetojnë 120 edhe më të rrallë. Njerëzit që jetuan më së shumti sipas regjistrave civilë janë Jeane Calment, një franceze e cila e mbërriti 122-shin.

Por, pse vdesim? Përgjigja e thjeshtë – nëse lëmë anash përgjigjet shpirtërore dhe ekzistenciale – është se natyra mbaron punë me ne në një pikë të caktuar.

Suksesi në jetë, folur me terme evolucionare, është t’i kalosh gjenet fëmijës tënd. Në këtë formë, shumica e specieve vdesin pasi u përfundojnë ditët e pjellorisë.

Por, pse 100-shi është më e shumta që mund të aspirojmë? Sepse evolucioni ynë nuk ka investuar në jetë-gjatësi më shumë. Qelizat nervore nuk repikohen, truri shkrihet, zemra dobësohet dhe ne vdesim. Nëse evolucionit do t’i vyente që të jetonim më gjatë, ndoshta këto elemente vrasëse do të hiqeshin, por evolucioni siç e njohim kërkon prej vdekjes që të promovojë jetë adaptuese.

Marrë nga BTh, përkthyer dhe përshtatur nga Gazeta Nacionale