12.5 miliardë euro BE-ja ndan për vendet e Ballkanit Perëndimorë

27 liderët evropianë u pajtuan në seancën maratone të Këshillit Evropian për shumën prej 12,5 miliardë euro. Kjo shumë do të jetë në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë shtatë viteve të ardhshme.

Bëhet fjalë për para të parapara për qëllim të financimit të veprimtarive të politikës së jashtme të BE-së, buxheti i përgjithshëm i të cilit është zvogëluar, thotë kryeministri hungarez Viktor Orban.

“Për shumë arsye, shpenzimet për politikën e jashtme janë shkurtuar, përveç një artikulli shumë të rëndësishëm, dhe ky është për Ballkanin Perëndimor dhe integrimin e tij në Bashkimin Evropian. Edhe ai artikull u rrit për 10 për qind. Ne kemi bërë një gjë të shkëlqyeshme në të mirë të vendeve tona të Ballkanit Perëndimor dhe kombet që jetojnë atje”, ka deklaruar Orban.

Shuma e planifikuar për fondet IPA është më e lartë se ajo e mëparshmja. Deutsche Welle përkujton se plani i Komisionit Evropian ishte më ambicioz, kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor.

“Kjo është një shumë që është më e lartë se ndarja e mëparshme e BE-së për vendet në procesin e pranimit. Kështu që në periudhën e kaluar shtatë vjeçare, Ballkani Perëndimor ka pasur në dispozicion 11.7 miliardë. Megjithatë, kjo shumë, e cila u miratua, prej 12.5 miliardë, është edhe më pak se ajo që u propozua nga Komisioni Evropian, dhe kjo ishte 14.5 për periudhën e ardhshme shtatë-vjeçare për IPA-3”, thekson DW.

Megjithëse kjo është një shumë e madhe parash të ndara për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, integrimi i plotë në BE ende sjell përfitime të konsiderueshme.

Një shembull është Kroacia, e cila, si anëtare më e re e Bashkimit Evropian, do të marrë deri në 22 miliardë nga buxheti i përbashkët në shtatë vitet e ardhshme. Pothuajse dy herë më shumë se të gjashtë vendet e Ballkani Perëndimor./Insajderi/