14 raste të dyshimta për koronavirus u testuan deri në ora 10:00

Deri në orën 10:00 të mëngjesit të sotëm 14 pacientë janë paraqitur si të dyshuar për Covid -19 dhe të njëjtit janë testuar dhe gjenden në pritje të rezultateve.

Këtë e ka bërë të ditur Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj –Berisha, ndërsa tha se këto shifra ndryshojnë vazhdimisht pasi gjatë gjithë kohës ka vizita mjekësore.

”Kemi pacientë që janë në pritje të rezultateve, deri në ora 10:00 kanë qenë 14 raste. Por, numri i rasteve vazhdimisht ndryshon, sepse gjatë gjithë kohës kemi vizita të vazhdueshme mjekësore kur në raste ka indikacione pranohen deri në marrjen e rezultateve, Deri më tani kemi pasur pesë infermiere që kanë qenë staf shëndetësor i Klinikës Infektive, të infektuar me Covid-19, prej tyre dy janë shëruar, një është drejt shërimit – presim sot edhe mostrën e dytë të marrjes së shtrisës, dhe dy janë në gjendje stabile”, shtoi e njëjta.

Ajo pranoi se aktualisht në Kosovë ka numër më të shtuar të rasteve me Covid-19.

“Kohëve të fundit kemi numër më të shtuar të rasteve që janë Covid-19 dhe që kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Të gjithë jemi të përgatitur për shfrytëzimin e masave të punës tonë. Në asnjë moment nuk e përjashtojmë mundësinë që çdo njëri nga stafi ynë mund të rezultojë pozitiv me Covid-19. Nuk është hera e parë që Klinika Infektive në Kosovë ballafaqohet me epidemi. Që nga paslufta jemi përballur me epidemi të ndryshme por ne jemi në gatishmëri 24 orë dhe kur ta shohim se ndonjëri prej stafit ka nevojë për testim, normalisht do të testohet”, ka deklaruar ajo.