17 vjeçarja shqiptare tregon se si është përdhunuar për të paktën 1 vit

U shfrytëzua seksualisht nga 4 persona në Fushë-Krujë për tetë muaj, por ndërsa ka vendosur të flasë në banesë iu vendos tritol.

Bëhet fjalë për një 17-vjeçare që ka gjetur guximin të denoncojë dhunuesit. Në një rrëfim ekskluziv për “News 24” vajza tha se është abuzuar seksualisht, droguar e më pas shfrytëzuar si prostitutë, ndërsa i bëhej presion se do t’i trafikonin edhe motrat nëse nuk iu bindet urdhrit të tutorëve.

“Jam abuzuar seksualisht që kur isha 16 vjeçe. Me jepnin droga të forta dhe më detyronin të kryeja marrëdhënie me ta. Shpesh herë edhe më dhunonin fizikisht. Më parë kam konsumuar hashash. Kur festova ditëlindjen e 16-të një djalë që më ngacmonte më dha kokainë. Ajo më bënte të mos isha e përgjegjshme për veprimet e mia.

Jam shfrytëzuar si prostitutë për 8 muaj. Para akteve seksuale që kryheshin pa vullnetin tim më jepnin drogë. Ata shfrytëzonin faktin që babai im ishte në burg. Kanë tentuar të më trafikojnë edhe në Greqi. Shpesh më kërcënonin se do abuzonin seksualisht dhe do trafikonin motrat e mia nëse unë i denoncoja”,- rrëfen vajza.

E ndërsa rrëfen, ajo ka një apel për të gjitha bashkëmoshataret e saj, që të mos ketë të njëjtin fat:

“Kam qëndruar 3 muaj në një qendër rehabilitimi në Vlorë. Tani jam e pastruar nga droga dhe u bëj apel gjithë bashkëmoshatarëve të mos i besojnë askujt por vetëm familjarëve. Vetëm ata ta duan të mirën”.

TRITOLI NË BANESËKujtojmë se mëngjesin e sotëm në banesën e 17-vjeçares, e cila ishte shfrytëzuar seksualisht nga 4 persona, që ushtronin edhe veprimtarinë kriminale në fushën e kultivimit të kanabisit është hedhur edhe një sasi tritoli.

Katër të rinjtë u arrestuan një ditë më parë, pas një hetimi disamujor, ndërsa u shpallën në kërkim edhe 2 persona të tjerë të implikuar në ngjarjen e rëndë.
Policia ka identifikuar autorin që ka vendosur pakon me lëndë plasëse artizanale në banesën e adoleshentes, që është shtetasi A. B. i shpallur në kërkim edhe për ngjarjen e një dite më parë, por që fatmirësisht nuk ka shpërthyer. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë ekspertët e anti-eksplozivit të RENEA-s, të cilët kanë hequr lëndën e rrezikshme.

Një ditë më parë, policia njoftoi se të arrestuarit “kanë nxitur për përdorimin e drogës një 17-vjeçare dhe e kanë shfrytëzuar seksualisht atë”.