1760 dokumente në mbështetje të akuzës ndaj ish krerëve të UÇK’së

ZPS i ka dorëzuar mbrojtjes 1760 dokumente që mbështesin aktakuzën kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

Një aktakuzë me 10 pika rëndon mbi ish krerët e UÇK-së.

Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, tashmë kanë të konfirmuar një akt akuzues, që i përfshinë ata në “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”.

Saktësisht katër ish krerët e UCK-së, akuzohen se kanë bërë përndjekje, burgosje, arrestim dhe ndalim të paligjshëm arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje e akte të tjera çnjerëzore.

Prokurorët e udhëhequr nga amerikani Jack Smith, aktakuzën e tyre e mbështesin në 1760 dokumente.

Këtë volum të madh të dokumenteve, tashmë ia kanë zbuluar avokatëve mbrojtës.

Bashkë më provat në të cilat mbështetet aktakuza, prokurorët kanë dorëzuar edhe 1309 dokumente të tjera, të cilat potencialisht mund të jenë shfajësuese për të akuzuarit.

Gjithë këto dokumente tashmë i kanë marr edhe avokatët mbrojtës.

Por, atyre duket se nuk po ju mjafton koha prej 30 ditësh e paraparë në rregulloren e procedurës dhe provës, për të paraqitur kundërshtimet e tyre.

Andaj, të katër avokatët David Hooper, Ben Emerson, David Young dhe Venkatesëari Alagendra kanë dorëzuar para gjykatësit të procedurës parapake një kërkesë të përbashkët për zgjatje të afatit, për parashtrimin e mocioneve të tyre.

Avokatët janë ankuar se po e kanë të vështirë që të konsultohen me klientët e tyre.

Por, sipas avokatëve mbrojtës ka diçka edhe më të rëndësishme që e justifikon shtyrjen e afatit për paraqitej e të mocioneve.

Katër avokatët ndërkombëtarë kanë kërkuar afat deri me 10 shkurt, për të paraqitur cfarëdo mocioni, qoftë për kontestim të juridiksionit të gjykatës, qoftë për mangësi në aktakuzë.

Për të vendosur përkitazi me këtë kërkesë të mbrojtjes, gjykatësi i procedurës paraprake i ka 21 ditë afat./Express

Tags: