2 zyrtarë të UNMIK-ut të arrestuar nga aksioni i Policisë, reagon ashpër shefi i UNMIK-ut

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovës – UNMIK ka reaguar ashpër ndaj aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Siç merret vesh nga reagimi i UNMIK-ut, dy zyrtarë të këtij misioni janë ndaluar nga Policia në veri të Kosovës.

“UNMIK-u është duke përcjellur me shqetësim të thellë zhvillimet sot në veri të Kosovës, përfshirë ndalimin e dy punonjësve të OKB-së gjatë kryerjes së detyrave të tyre nga ana e Policisë së Kosovës. Që të dy punonjësit më vonë janë transferuar në spital për trajtim të lëndimeve.  Jemi në përcaktim të rrethanave të sakta, në koordinim të ngushtë me të gjitha agjencitë ndërkombëtare në terren”, thuhet në deklaratën e Përfaqësuesit Special të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin.

Tanin ka bërë thirrje që të lirohen menjëherë dy zyrtarët e ndaluar të UNMIK-ut nga ana e Policisë. “Çfarëdo dëmi shkaktuar punonjësve të Kombeve të Bashkuara do të përcillet me përgjigje më të larta diplomatike dhe ndërkombëtare ligjore”, thuhet në deklaratën e ashpër të shefit të UNMIK-ut.

Nga ana tjetër, pritet të shihet se si do të reagojnë institucionet e Kosovës ndaj këtij reagimi të shefit të UNMIK-ut, Zahir Tanin.