Basha: Rama ka rikthyer gjyqet politike kundër opozitës

Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, e ka akuzuar Kryeministrin Rama se ka rikthyer gjyqet politike kundër opozitës. Ai ka deklaruar se Rama ka përdorur kryeprokurorët për të mbyllur “gojën” e opozitës, raporton Lajme365.

“30 vjet pas rrëzimit të diktaturës, Edi Rama rikthen në Shqipëri gjyqet politike kundër opozitës. Për të dënuar Ervin Salianjin, që denoncoi me fakte, përfshirjen e vëllait të Ministrit të Brendshëm në trafik droge, Edi Rama përdori dy prokurorë të korruptuar, Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, që zbatuan sot skenarin e dështuar për t’i mbyllur gojën opozitës”, ka shkruar Lulzim Basha në një postim në profilin e tij në rrjete sociale.

Basha më tej ka deklaruar se askush nuk do të mund të ndalojë betejën e PD-së ndaj krimit të organizuar dhe lidhjeve të saj me Qeverinë Rama.

“Askush, nuk do të arrijë kurrë t’i mbyllin gojën as Ervin Salianjit dhe asnjë përfaqësuesi politik të Partisë Demokratike. Beteja jonë me krimin e organizuar, dhe denoncimi i lidhjeve të krimit të organizuar me Qeverinë e Edi Ramës dhe shërbëtorëve të tij në drejtësi, nuk ka për tu ndalur”, ka përfunduar kreu i PD-së, Basha, raporton Lajme365.