31 helmeta për 31 punëtorë që gjetën vdekjen në vendin e punës

Organizata studentore “Studim-Kritikë-Veprim” ka organizuar sot një aksion simbolik në ditën e 1 Majit.

Marshin e ka organizuar së bashku me grupe dhe organizata të ndryshme për 1 Majin – Ditën e punëtorëve.

Përgjatë marshit protestuesit u ndalën tek Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duke vazhduar te BSPK-ja në drejtim të qeverisë.

Aktivistë të SKV-së përmes një instalacioni shprehën gjendjen tejet shqetësuese me vdekjen e punëtorëve, në vendet e punës.

“Përballë qeverisë u vendosën 31 helmeta për 31 punëtorë që gjetën vdekjen në vendin e punës e të cilat nga institucionet trajtohen si aksidente të zakonshme.

Kur aktivistët, punëtorët përmes një aksioni simbolik duan të shpërfaqin këtë gjendje alarmante, Komuna e Prishtinës me arrogancë e ndalon një aktivitet të tillë.

Komuna e Prishtinës si dhe shefat e shefave duhet ta kuptojnë që të drejtat e punëtorëve, studentëve dhe qytetarëve të Republikës janë shumë më të fuqishme se interesat meskine të pushtetarëve dhe grykësve oligark.

Jeta e punëtorëve është e shtrenjtë. Papërgjegjësitë institucionale do të përballen me vullnetin popullor, kundër shtypjes, kundër pabarazisë”, thuhet në njoftimin e organizatës.