33 persona nga Vushtrria testohen me COVID-19

Në fshatin Smrekonicë të komunës së Vushtrrisë sot gjatë ditës janë kryer testet edhe për 33 banorë të fshatit të cilët kanë pasur kontakt me dy personat e konfirmuar me Covid 19 nga ky fshati. Rezultatet për ta pritet që të dalin sot gjatë ditës.

Lajmin për testimin e tyre e ka konfirmuar për Express kryetari i fshatit Smrekonicë, Fidan Bejta.

“Sot janë testuar 33 banorë të fshatit tonë, të cilët kanë qenë në kontakt me dy të infektuarat e para nga Smrekonica. Dy të prekurat nga ky virus, aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore. Andaj të dashur bashkëfshatarë, vazhdoni të qëndroni në shtëpitë tuaja dhe mos u takoni me fqinjët”, ka thënë Bejta.

Numri total i të prekurve ka arritur në 165 persona në nivel vendi. 25 prej tyre janë shëruar, ndërkohë 3 tashmë kanë ndërruar jetë./Express/