352.000 ndërtime presin legalizimin

Me beton e tulla janë mbushur jashtëligjshëm tokat nëpër Kosovë. Shumë shtëpi individuale e objekte kolektive janë ndërtuar për këta 20 vjet, duke i shpërfillur procedurat e lejeve ndërtimore. Numri e kalon 300-mijëshin në nivel vendi.

Të tillat, përveç shpërfilljeve të lejeve ndërtimore, në shumë raste nuk janë kursyer edhe tokat bujqësore apo pronat publike. Sipas ekspertëve, rreth 1.2 milionë banorë të Kosovës jetojnë në objekte pa leje. E shteti ka dalë i pafuqishëm kundrejt këtij kaosi ndërtimor gjithandej vendit. Zgjidhje këtij problemi është tentuar t’i jepet me Ligjin 04/L-188 për trajtimin e ndërtimeve pa leje, i cili i trajtonte objektet e ndërtuara deri në vitin 2013. Por i njëjti nuk ka arritur ta kryejë misionin e vet. Për shkak të procedurave pothuajse të njëjta sikur në rastin kur kërkohet leje ndërtimore dhe po ashtu çmimit të lartë, numri i objekteve të legalizuara me atë ligj mbetet shumë simbolik. Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje ishte ndërprerë, pasi në fillim të vitit 2017 është shfuqizuar Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje, i cili kishte afat kohor që e mbante atë në fuqi për tre vjet – nga 4 shkurti 2014, deri në datën e njëjtë të vitit 2017, shkruan Koha Ditore.

Qeveria në largim (Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor) vitin e kaluar e ka nxjerrë një ligj të ri për trajtimin e ndërtimeve pa leje, duke i thjeshtësuar procedurat e aplikimit dhe duke zbritur çmimin për metër katror. Por e njëjta është vonuar për gjashtë muaj që t’i nxjerrë edhe aktet nënligjore për ta bërë të zbatueshëm këtë ligj, i cili i ka afat dy vjet me mundësi vazhdimi edhe për dy të tjera. Dhe tashmë një vit ka kaluar prejse është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe ritmi për t’i legalizuar rreth 350 mijë objektet e evidencuara pa leje është shumë i vogël. Ekspertë të ndërtimit dhe zyrtarë të shoqërisë civile dyshojnë se i njëjti do të mund ta përmbyllë procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Sipas tyre, vetëm Prishtinës do t’i duhen së paku 10 vjet për ta përmbyllur këtë proces. /koha.net/