Limaj akuzon rëndë Qeverinë: Një barnatore e ka ndihmuar Malishevën më shumë se Qeveria

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i shoqëruar nga deputeti i Kuvendit, Endrit Shala, kanë vizituar komunën e Malishevës, ku janë pritur nga udhëheqja komunale dhe drejtori i Qendrës se Mjekësisë familjare në Malishevë.

Limaj i ka shprehur mirënjohje kryetarit të komunën dhe stafit shëndetësor për angazhimin dhe masat që kanë marrë për të tejkaluar krizën e përhapur me COVID-19.

Lideri i Nismës ka apeluar qytetarët që të respektojnë të gjitha rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, sepse në këtë situate, ai thotë se të gjithë duhet të kryen rolin dhe detyrat e veta.

Nga aty, Limaj ka shprehur shqetësimin për furnizimin me mjete elementare që ka bërë ministria e Shëndetësisë për komunën e Malishevës.

“Kërkoj urgjent nga ministria e shëndetësisë të merr masa dhe të bëj furnizime të plota për qendrën shëndetësore dhe për komunën e Malishevës. Duhet furnizim masiv dhe serioz dhe në shërbim të plotë të parandalimit të përhapjes së virusit. Është shumë e habitshme që një barnatore ka ndihmuar komunën më shumë se qeveria e Kosovës, është për çudi që ende ministri i Shëndetësisë ende nuk e ka kontaktuar komunën e Malishevës”, ka thënë ndër të tjera Limaj në Malishevë.